
Duke thënë se ishte frymëzuar nga "modeli francez i “kush thyen - paguan”, Edi Rama prezantoi një sërë masash gjatë një fjalimi me video, të transmetuar drejtpërdrejt në mediat sociale të dielën në mëngjes.
“Kushdo që zgjedh të qëndrojë në një turmë” që kryen dhunë ose plaçkitje në hapësira publike ose “fsheh identitetin e tij” përballet me gjoba deri në 5,000 euro, tha ai. Kjo do të vlente për të gjitha llojet e tubimeve "kur ato rezultojnë në dëmtime të pronës".
Sipas këtij plani, policisë do t’i lejohet gjithashtu të “kufizojë tubimet deri në 72 orë” në zona të caktuara, “në rast të një rreziku të menjëhershëm dhune”, shtoi udhëheqësi socialist, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013.
Teksti, i cili pritet të paraqitet në Kuvend javën e ardhshme, parashikon gjithashtu "kompensim të menjëhershëm për bizneset e vogla" dhe "pezullimin" ose shkarkimin nga puna të atyre që "inkurajojnë, organizojnë ose koordinojnë pjesëmarrjen e studentëve të mitur në tubime".
Mësuesit kanë shprehur mbështetjen e tyre për kërkesat e nxënësve të shkollave të mesme.
Kryeqyteti Tirana ka qenë skenë e demonstratave të dhunshme që nga 13 tetori, një përshkallëzim në një lëvizje proteste që filloi në maj kundër një projekti të pasurive të paluajtshme në një rezervat natyror të lidhur me dhëndrin e Donald Trump.
Mijëra njerëz, përfshirë të rinj, morën pjesë për të denoncuar kushtet e këqija të studimit në universitete, korrupsionin dhe për të kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Kthimi në komunizëm
Nga ana e tij, Edi Rama denoncon ndërhyrjen e huaj. "Kushdo që kërkon dorëheqjen time gabon nëse mendon se ajo mund të imponohet me forcë", deklaroi ai të dielën.
Këto njoftime nuk i dekurajuan disa qindra protestues që marshuan pasdite në zemër të kryeqytetit. Dy pensionistë, duke folur në kushte anonimiteti, shprehën "shqetësimin" e tyre për këto "shkelje" të hapura të të drejtave të njeriut.
“Pse duhet që prindërit të paguajnë për veprimet e fëmijëve të tyre kur Kryeministri nuk është përgjegjës për anëtarët e qeverisë së tij”, pyet njëra prej tyre, e cila thotë se merr një pension prej 180 eurosh.
“Censurimi i llogarive online që bëjnë thirrje për protesta, arrestimi i njerëzve... është si një kthim” në vitet komuniste para vitit 1990, tha Frida, 29 vjeç.
Opozita kritikoi gjithashtu qëndrimin më të ashpër të parashikuar nga Kryeministri socialist.
“Grupi i tij i propozimeve synon të shtypë demonstratat dhe të kontrollojë rrjetet sociale”, tha për AFP nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi.
Këto manovra për të “minuar” lirinë e shprehjes dhe të tubimit “shkelin të drejtat themelore dhe bien ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian”, anëtare e të cilit Shqipëria aspiron të bëhet, tha ai.
Të dielën në mbrëmje, shpërthyen disa përleshje midis protestuesve dhe forcave të rendit pranë selisë së qeverisë.
Një ditë më parë, sipas policisë, u arrestuan 23 persona. 13 të tjerë po përballen me procedura ligjore dhe 30 janë “në kërkim”.
Në total, që nga mesi i tetorit, autoritetet raportojnë më shumë se 300 të plagosur dhe po aq arrestime. ©Përktheu LAPSI.al