
Një tartuf i bardhë prej 850 gramësh iu shit sot për 100,000 euro një blerësi nga Hong Kongu në Ankandin e 27-të Botëror të Tartufit të mbajtur në Alba, pranë Torinos në Itali.
Më herët, një tartuf prej 300 gramësh, u shit për 12,000 euro, por kur blerësi vendosi të mos e blinte, ai u rishit për 14,000 euro nga një biznesmen vendas.
“Këtë vit, tartufët vuajtën disi nga thatësira. Aktualisht, falë reshjeve të fundit, duket se sezoni po rikuperohet dhe shpresojmë që fundi i vitit të jetë më i favorshëm për tartufët. Për momentin, kemi disa shumë të mirë", - tha për AFP Roberto Bodrito, president rajonal i Enoteca Piemonte Cavour.
“Ky ankand nuk ka qenë kurrë më parë kaq ndërkombëtar: 4 vende të reja, 9 qytete të ndërlidhura... Një ankand vërtet global, si kurrë më parë", shtoi ai.
🇮🇹 Une truffe vendue 100 000 € : dans le Piémont, la folie des enchères internationales de la truffe blanche ! 📺 @pl_monnier @lorenza_pns https://t.co/vQ9p3DPBV7
— France TV Rome (@FranceTVRome) November 8, 2026
Këto ankande po zgjerohen çdo vit për të përfshirë një numër gjithnjë e në rritje vendesh. Edicioni i 27-të mirëpriti Brasilian, Londrën, Makaon dhe Vilniusin, përveç pjesëmarrësve të rregullt si Hong Kongu, Bangkoku dhe Vjena.
Paratë e mbledhura nga këto shitje shkojnë gjithmonë për bamirësi, si në Itali ashtu edhe jashtë vendit. Që nga shitja e parë në vitin 1999, rreth 7.2 milionë euro kanë financuar një spital në Afrikë, riintegrimin social të të rinjve të varur nga droga dhe edukimin e fëmijëve në favela.
I kërkuar nga gurmanët dhe shefat e kuzhinës me yje Michelin në të gjithë botën, tartufi i bardhë Alba, më i famshmi në botë, është një kërpudhë nëntokësore që rritet pranë pemëve të caktuara, duke u kapur pas rrënjëve të tyre. ©LAPSI.al