
Plarent Ndreca, avokat i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar në emisionin “Opinion” se kryeministri Edi Rama e ka telefonuar dhe e ka kërcënuar gjatë një komunikimi të tensionuar.
Ndreca tha se mes tij dhe kryeministrit ka pasur shkëmbime sharjesh dhe se një komunikim i tillë ka ndodhur edhe gjatë ditës së hënë. Sipas Ndrecës, përplasja lidhet me marrëdhëniet mes Ramës dhe Veliajt.
Ai deklaroi se kryeministri e ka akuzuar personalisht se ka nxitur pavarësinë politike të Veliajt ndaj tij.
“Unë kam pasur një komunikim të tensionuar me kryeministrin. Edhe sot. Kam pasur telefonatë me kërcënime e sharje reciproke. Të tensionuar. Nuk është mirë t’i nxjerr, por jam i detyruar. Jam dëshmitar vetë dhe kam komunikime me kryeministrin. Rama më ka telefonuar dhe ka treguar pakënaqësitë e tij ndaj meje si këshilltar politik. Më ka thënë: “Ti ke nxitur pavarësinë e Veliajt ndaj meje”, - u shpreh Ndreca.
Ndreca tha se është dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të përmendura në pikën e tretë të letrës së publikuar nga Veliaj dhe se zotëron komunikime që, sipas tij, mbështesin pretendimet e kryebashkiakut.
Avokati i kryebashkiakut tha se ndryshimi në trajtimin e Veliajt nisi pas reagimit për protestat në Serbi.
“Nga momenti kur beri mesazhin per Serbine ka pasur nje ndryshim sjelljeje ndaj Veliajt nga Drejtoria e Burgut. Gogu thote se ka shkuar per te pare kushtet e burgut, por ata jane takuar ne zyren e drejtorit te burgut per 1 ore e gjysme. Nuk shihen kushtet e burgut te zyra e drejtorit. Nuk jam lejuar ta takoj Veliajn jashte orarit zyrtar, nderkohe qe Gogu eshte lejuar edhe pse ligji na trajton njesoj si avokatin dhe ministrin,”- shprehet ai. ©LAPSI.al