
Një kallëzim penal drejtuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkon hetimin jo vetëm të episodeve të pretenduara të dhunës policore gjatë protestave në Shqipëri, por edhe të mundësisë që ato të kenë qenë pjesë e një praktike të organizuar, të toleruar ose të mbështetur nga nivelet drejtuese.
Në dokument, Qendra Res Publica, në emër të një grupi avokatësh, qytetarësh dhe organizatash, ngre dyshime për përdorim të kundërligjshëm të forcës, privim arbitrar të lirisë, keqtrajtim, pengim të gazetarëve dhe mungesë të identifikimit të punonjësve të policisë.
Kallëzuesit kërkojnë që hetimi të përfshijë drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, drejtorin e Policisë së Tiranës, Oliger Torba, drejtues të strukturave të tjera policore, si dhe të verifikojë rolin e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Ervin Demo.
Që në përshkrimin e objektit të kallëzimit, autorët ngrenë dyshimin për ekzistencën e një mekanizmi që mund të ketë synuar pengimin e ushtrimit të lirive themelore. Ata kërkojnë hetimin e një veprimtarie të dyshuar, të orientuar drejt “pengimit dhe dekurajimit të shtetasve nga ushtrimi i lirisë së shprehjes dhe tubimit”.
Një fushatë e mirëfilltë terrori
Kallëzimi penal i Qendrës Res Publica i lidh incidentet me protestat që nisën më 31 maj 2026, në kundërshtim me projektet e zhvillimit dhe ndërhyrjet në zona të mbrojtura, përfshirë zonën Pishë Poro–Nartë.
Sipas kallëzimit, ekzistojnë dyshime “për ekzistencën e një mekanizmi të organizuar brenda strukturave të Policisë së Shtetit, që mund të ketë për qëllim […] organizimin e një fushate të mirëfilltë terrori dhe intimidimi, për pengimin, frikësimin dhe shtypjen e protestave përmes përdorimit të kundërligjshëm të forcës dhe veprimeve të tjera potencialisht kriminale, duke krijuar njëkohësisht, në mënyrë të qëllimshme, kushtet për mosidentifikimin, moshetimin dhe pandëshkueshmërinë e autorëve të këtyre veprave”.
“Gjatë protestave të zhvilluara prej datës 13.10.2026, në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë, janë publikuar një numër i madh pamjesh filmike, dëshmish, denoncimesh dhe raportesh institucionale që ngrenë dyshime për kryerjen e veprave penale dhe shkeljeve të tjera të ligjit nga punonjës të Policisë së Shtetit. Disa episode mbështeten në regjistrime filmike, të tjera në dëshmi individuale, ndërsa disa prej problematikave janë evidentuar drejtpërdrejt nga Avokati i Popullit dhe organizata të tjera që kanë monitoruar protestat”, thuhet në kallëzimin penal.
Gjatë kësaj periudhe, sipas dokumentit, janë raportuar episode të shumta të përdorimit të pretenduar të paligjshëm ose joproporcional të forcës, shoqërime arbitrare, lëndime, keqtrajtim të personave të shoqëruar, cenim i të drejtave të të miturve dhe pengim i gazetarëve që dokumentonin ndërhyrjet policore.
Avokatët pretendojnë se, në disa raste, punonjës policie kanë përdorur forcë joproporcionale, gaz lotsjellës dhe mjete kinetike, kanë shoqëruar ose arrestuar persona pa baza të mjaftueshme ligjore dhe kanë penguar gazetarë e qytetarë të dokumentojnë veprimet e policisë.
Një tjetër shqetësim lidhet me praninë e personave me rroba civile, të cilët, sipas kallëzimit, kanë vepruar krahas punonjësve të policisë. Kallëzuesit kërkojnë që hetuesit të përcaktojnë identitetin, statusin dhe rolin e këtyre personave, si dhe nëse veprimet e tyre kanë qenë të autorizuara apo të toleruara nga drejtuesit.
Avokatët kërkojnë që SPAK-u të përcaktojë nëse bëhet fjalë për tejkalime individuale të kompetencave apo për një mënyrë veprimi të organizuar, të urdhëruar ose të toleruar me vetëdije nga zinxhiri drejtues.
“Objekti kryesor i këtij kallëzimi nuk kufizohet te përgjegjësia penale individuale e punonjësve që kanë kryer secilin prej këtyre veprimeve”, thuhet në dokument. Sipas kallëzuesve, hetuesit duhet të përcaktojnë nëse mungesa e identifikuesve ka ardhur si pasojë e shkeljeve individuale, e urdhrave operacionalë apo e dështimeve të mbikëqyrjes; kush i ka dhënë urdhrat dhe çfarë masash janë marrë pasi problematikat u bënë publike.
Kallëzuesit kërkojnë të hetohet nëse drejtuesit mund të kenë organizuar, urdhëruar, nxitur ose lejuar me vetëdije veprime të kundërligjshme, si dhe nëse kanë krijuar apo ruajtur kushte që pengojnë identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.
Roli i Ramës dhe Demës
Kallëzimi kërkon që SPAK-u të verifikojë edhe rolin e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Ervin Demo.
Për Ramën, kërkohet shqyrtimi i komunikimeve, udhëzimeve dhe vendimmarrjeve të lidhura me ngjarjet, përfshirë deklaratat publike të mbajtura në kontekstin e protestave.
Për ministrin Demo, dokumenti kërkon verifikimin e informacionit që ka marrë, kompetencave të kontrollit administrativ, masave të ndërmarra dhe komunikimeve me drejtuesit policorë.
Kallëzimi përmend takimin e 19 tetorit mes kryeministrit dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit, në praninë e ministrit të Brendshëm. Ai kërkon që deklaratat e bëra në këtë takim të shqyrtohen në kontekstin e plotë, së bashku me vendimet dhe veprimet konkrete të institucioneve.
Dokumenti thekson se prania në një takim, mbajtja e një posti politik apo një deklaratë publike nuk mjaftojnë, më vete, për të provuar përgjegjësi penale.
Çështja që, sipas kallëzimit, duhet të sqarojë hetimi është nëse ka pasur dijeni për veprimet e pretenduara, udhëzime ose vendimmarrje konkrete dhe nëse veprime apo mosveprime të caktuara kanë pasur rëndësi penale.
Dokumenti përmend edhe një njoftim për përfitim financiar për punonjësit e angazhuar në operacionet kundër protestave dhe kërkon verifikimin e dokumentacionit përkatës.
Sipas kallëzuesve, listat e personelit dhe të dhënat mbi dislokimin mund të ndihmojnë në rindërtimin e zinxhirit të komandimit. Vetë një shpërblim financiar, thuhet në dokument, nuk provon kryerjen e një vepre penale.
Kallëzimi kërkon hetimin e përgjegjësisë së mundshme të Skënder Hitës dhe Oliger Torbës, si dhe të drejtuesve të strukturave të posaçme, njësive operacionale dhe drejtorive të tjera vendore të policisë.
Për Hitën, dokumenti kërkon verifikimin e rolit të tij në organizimin, drejtimin dhe kontrollin e operacioneve, identifikueshmërinë e efektivëve, dokumentimin e përdorimit të forcës dhe reagimin ndaj shkeljeve të denoncuara. Për Torbën, kërkesa lidhet me përgjegjësitë e drejtimit dhe kontrollit të strukturave policore vendore të angazhuara në ndërhyrjet objekt kallëzimi.
Autorët kërkojnë gjithashtu të përcaktohet nëse drejtuesit janë vënë në dijeni të pretendimeve përmes raportimeve publike, pamjeve filmike, komunikimeve të Avokatit të Popullit dhe një letre të hapur të Res Publica-s dhe nënshkruesve të tjerë.
Një element tjetër që kërkohet të shqyrtohet është njoftimi për pezullimin e shtatë punonjësve të policisë pas pretendimeve për tejkalim kompetencash ose përdorim joproporcional të forcës. Pezullimi mund të jetë një masë administrative, por nuk përcakton vetvetiu nëse ka pasur përgjegjësi penale dhe as nëse janë hetuar të gjitha nivelet e komandimit.
Një hetim që shkon përtej Tiranës
Sipas kallëzimit, episodet e denoncuara nuk janë kufizuar në një vendngjarje ose strukturë policore. Dokumenti përmend Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Korçën, Pogradecin, Vlorën dhe qytete të tjera.
Në përshkrimin e episodeve të dyshuara, autorët rendisin përdorimin e forcës fizike, predhat kinetike, gazin lotsjellës, shoqërimet dhe arrestimet arbitrare, shkeljet e pretenduara ndaj të miturve, pengimin e gazetarëve, mosdhënien e ndihmës mjekësore dhe trajtimin e personave të privuar nga liria.
Dokumenti përmend gjithashtu pretendime për përfshirjen e personave civilë në ushtrimin e dhunës dhe kërkon të përcaktohet nëse këta persona kanë pasur lidhje ose koordinim me strukturat policore.
Kallëzuesit argumentojnë se shtrirja gjeografike dhe ngjashmëritë e pretenduara në mënyrën e ndërhyrjes kërkojnë verifikimin nëse rastet janë të izoluara apo mund të kenë një burim të përbashkët organizativ. Për këtë arsye, ata kërkojnë administrimin e materialeve filmike, dëshmive, raporteve institucionale dhe dokumentacionit operacional që lidhet me secilin episod.
Avokatët kërkojnë administrimin e planeve operacionale, urdhrave, regjistrave të personelit dhe pajisjeve, dokumentacionit për identifikimin individual të efektivëve, radiokomunikimeve, regjistrimeve filmike dhe raporteve për përdorimin e forcës.
Kërkohet gjithashtu dokumentacioni mbi masat e marra pas denoncimeve, komunikimet ndërmjet niveleve drejtuese dhe materialet që mund të ndihmojnë në identifikimin e personave të përfshirë në shoqërime ose ndërhyrje.
Për kallëzuesit, çështja thelbësore është të përcaktohet nëse mungesa e identifikuesve dhe mangësitë në dokumentim kanë penguar realisht identifikimin e autorëve, nëse drejtuesit kishin dijeni për këtë problem dhe çfarë veprimesh ndërmorën.
Kallëzuesit i kërkojnë SPAK-ut të vlerësojë nëse faktet e paraqitura mund të përbëjnë vepra penale që lidhen me torturën, plagosjen, heqjen e paligjshme të lirisë, shpërdorimin e detyrës, veprimet arbitrare, mosmarrjen e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme dhe pengimin e ushtrimit të së drejtës për t’u shprehur, grumbulluar ose manifestuar.
Po ashtu, kërkohet të vlerësohet nëse ekzistojnë elementet e një grupi të strukturuar kriminal.
Në përfundim, kallëzimi kërkon që SPAK-u të hetojë jo vetëm veprimet e pretenduara të punonjësve në terren, por edhe organizimin, urdhërimin, lejimin dhe mosndërprerjen e tyre, duke përcaktuar rolin konkret dhe përgjegjësinë e mundshme të secilit person të përfshirë. /shteg.org

