
Elbasani fiton 2-1 në “Elbasan Arena”, me Mazarin protagonist të dy golave. Laçi pretendon për një gol të anuluar në minutat shtesë, pas një vendimi të diskutueshëm të arbitrit Yzeiraj. Verdheblutë po konfirmojnë se ndryshimi në stol ka sjellë një kthesë të rëndësishme në rezultatet e skuadrës. Me Glen Dajën në drejtim, Elbasani ka regjistruar shtatë pikë në tri ndeshje, duke marrë dy fitore radhazi dhe të dyja pas përmbysjeve. Suksesi i fundit erdhi përballë Laçit, me rezultatin 2-1, në një ndeshje me rivalitet të fortë dhe një fund që do të diskutohet gjatë.
Në “Elbasan Arena”, vendasit nuk e patën të lehtë përballjen me kurbinasit. Laçi e nisi më mirë dhe arriti të kalojë në avantazh që në minutën e tetë, kur Traore dërgoi topin në rrjetë. Megjithatë, epërsia e miqve zgjati vetëm katër minuta. Mazari u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke rikthyer baraspeshën dhe duke i dhënë Elbasanit mundësinë të hynte sërish në lojë.
Mazari vendos ndeshjen, Elbasani përmbys gjithçka
Pas golit të barazimit, të dyja skuadrat patën mundësitë e tyre për të ndryshuar rezultatin. Sfida mbeti e hapur, me aksione në të dyja zonat, por momenti vendimtar erdhi në pjesën e dytë.
Në minutën e 67', Mazari goditi sërish, duke realizuar golin e dytë personal dhe duke përmbysur rezultatin në favor të verdhebluve. Një dygolësh me peshë të veçantë për sulmuesin, por mbi të gjitha tri pikë që konfirmojnë ecurinë pozitive të skuadrës nën drejtimin e Dajës.
Goli i anuluar në fund ndez polemikat
Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt përfundimit me fitoren e Elbasanit, Laçi pretendoi se kishte gjetur golin e barazimit në minutat shtesë. Traore dërgoi topin në rrjetë, por festa e kurbinasve u ndërpre nga vërshëllima e arbitrit Yzeiraj, i cili sinjalizoi një faull përpara goditjes.
Vendimi shkaktoi polemika, pasi ndërhyrja e gjyqtarit erdhi në një moment kur Laçi po kërkonte me ngulm barazimin. Goli nuk u quajt i vlefshëm dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1, në favor të vendasve.
Elbasani futet në garën e sipërme
Përtej episodit të diskutueshëm në fund, fitorja ka një rëndësi të madhe për objektivat e Elbasanit. Me tri pikët e marra ndaj Laçit, skuadra e Glen Dajës ngjitet në kuotën e 14 pikëve dhe pozicionohet në vendin e katërt, duke iu afruar Dinamos së Ilir Dajës.
Shtatë pikë në tri ndeshje, dy përmbysje radhazi dhe një skuadër që po fiton besim në momentin e duhur. Elbasani po jep sinjale se mund të jetë një protagonist në garën e këtij sezoni, ndërsa puna e Dajës po shoqërohet deri tani me rezultate konkrete.