Flash

Afrimi me Izraelin, pragmatizëm diplomatik apo politikë personale e Ramës?

Vizita e ministrit të Jashtëm izraelit në Tiranë dhe intensifikimi i kontakteve politike mes dy vendeve po forcojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin, në një kohë kur lufta në Gaza ka rritur kritikat ndërkombëtare ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahut. Ekspertët e politikës së jashtme e shohin këtë afrim si një mundësi për bashkëpunim ekonomik dhe strategjik, por ngrenë pikëpyetje mbi përfitimet konkrete për Shqipërinë dhe rolin personal të kryeministrit Edi Rama.

20:15

“Grupi shurupi"/ Gjurmët e Ballukut në vilën e Dhërmiut, nga “Netflix” tek pikturat në mure

Lapsi.al 1 November 2026

“Grupi shurupi"/ Gjurmët e Ballukut në vilën e

Një vilë me vlerë ndërtimi të llogaritur në 420 mijë euro në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi është në emër të ish-futbollistit, Igli Tare. Por, faturat e energjisë elektrike paguhen nga Viola Haxhiademi, një ish-vartëse dhe njeri i besuar i ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku.

Në televizorin e vilës është instaluar platforma “Netflix”, e cila hapet nga llogaria me emrin “Belinda Balluku” dhe emrat e dy fëmijëve të saj. Muret e vilës dy-katëshe në bregdetin e Jonit zbukurohen nga disa piktura, të sigluara me emrin e vajzës së saj. Në ambiente të ndryshme gjenden materiale festive, të përdorura për ditëlindjen e djalit të Ballukut.

Çelësin e vilës “F6” në kompleksin “White Rocks”, të ndërtuar nga kompania “Eurocol” e Pandeli Carapulit, e mban dadoja e fëmijëve të ish-zv.kryeministres. Pastrimin e saj e kryen një zonjë, e cila kryen të njëjtin shërbim në apartamentin e Ballukut në Tiranë. Madje, pastruesja, gjatë punës së saj në vilë, i ka dërguar një foto bashkëshortit të saj, ku duket një kuti e kuqe, e mbushur me kartëmonedha në prerje 50-euro, të kapura me llastik.

“Grupi shurupi"/ Gjurmët e Ballukut në vilën e
Në foto: Kutia me lekë, e cila dyshohet se gjendej në vilën “F6” në kompleksin “White Rocks”, Dhërmi

Shoferi i familjes ka shoqëruar shpesh fëmijët e Belinda Ballukut drejt vilës që ndodhet në Gjilekë. Vetë bashkëpunëtorja më e ngushtë e kryeministrit Edi Rama e ka frekuentuar shpesh atë vilë.

Ajo është ndërtuar në një parcelë 300 metra katrorë, me dy kate, me sipërfaqe totale 103 m2 dhe me një verandë 34 metra katrorë. Në oborr është ndërtuar edhe një pishinë, për cilësinë e të cilës, sipas SPAK-ut, ka qenë e interesuar drejtpërdrejtë Belinda Balluku.

Për Prokurorinë e Posaçme nuk ka asnjë dyshim se vila është një pasuri e fshehur nga Belinda Balluku, pavarësisht përpjekje të Igli Tares për të bindur prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm se godina është në pronësi të tij dhe duhet hequr nga sekuestroja, e cila është vendosur që në qershor të vitit 2026.

Igli Tare, “sopranome”?

Igli Tare ka qenë krenaria e futbollit shqiptar. Ish-kapiten i Kombëtares, ish-drejtor sportiv i ekipeve të Serisë A, Lazio dhe Milan, jeta dhe aktiviteti i tij profesional tashmë po vihen gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, falë akuzave zyrtare se ai është përdorur për pastrimin e parave të ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Në vitin 2018, Tare ka nënshkruar një kontratë porosie për të blerë vilën “F6” në kompleksin rezidencial “White Rocks”, të ndërtuar nga shoqëria “Eurocol” e Pandeli Carapulit, në zonën e Gjilekës, në Dhërmi.

“Grupi shurupi"/ Gjurmët e Ballukut në vilën e
Në foto: Igli Tare duke dalë nga Prokuroria e Posaçme

Megjithatë, Tare nuk di të thotë se përse në këtë vilë, vlera e të cilës përllogaritet në rreth 420 mijë euro, gjenden kudo gjurmë të Belinda Ballukut.

Igli Tare pretendon se vilën ia ka dhënë me qira shtetases Joana Bushi, një vartëse e drejtëpërdrejtë e Belinda Ballukut. Në vitin 2022, mes të dyve është nënshkruar kontratë qiradhënieje, me pagesë 450 euro në muaj, për një afat dy-vjeçar.

Në përllogaritjet e Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të hetimeve për Ballukun, rezulton se vlera e qirasë për këtë vilë është 3 mijë euro në muaj ose 36 mijë euro në vit, një shumë që duket se është tërësisht e papërballueshme për sekretaren e Ballukut, Joana Bushi.

Por, në një tërësi të dhënash, pyetësorësh e dokumentesh, SPAK-u thotë se ka të provuar tashmë se vila F6 në “White Rocks” është një pasuri e fshehur e Belinda Ballukut.

“Grupi shurupi"/ Gjurmët e Ballukut në vilën e
Në foto: Kompleksi “White Rocks”, Dhërmi

Me këto argumenta është paraqitur në Gjykatën e Posaçme në qershor të vitit 2026 për të vendosur sekuestrimin e vilës. Dhe, po mbi këto argumenta, Gjykata e Posaçme e Apelit, në mesin e Tetorit të këtij viti, ka refuzuar kërkesën e Igli Tares për heqjen e sekuestros.

“Boldnews.al” ka lexuar këtë vendim, në të cilin paraqiten në mënyrë të detajuar gjetjet e Prokurorisë së Posaçme.

“Grupi Dhërmi”

Në dhjetor të vitit 2024, Belinda Balluku, e cila në atë kohë ishte zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës, hap një grup në aplikacionin telefonik “Whatsapp”, me emërtimin “Dhërmi”.

“Grupi shurupi"/ Gjurmët e Ballukut në vilën e
Në foto: Belinda Balluku

Pjesë e këtij grupi ishin disa nga bashkëpunëtorët e saj më të ngushtë, të cilët rezultojnë se kanë në pronësi vila në kompleksin “White Rocks”, në Gjilekë:

Maksim Hetemaj, i cili ka mbajtur për një kohë të gjatë postin e Drejtorit të Agjencisë së Aviacionit Civil, në varësi të Ballukut.

Alketa Pano, këshilltare e Ballukut dhe Matilda Kërçuku. Të gjithë këta emra rezultojnë se posedojnë vila në kompleksin “White Rocks” të ndërtuar nga Pandeli Carapulit, përveç Belinda Ballukut, e cila, zyrtarisht, nuk ka një të tillë.

“Grupi shurupi"/ Gjurmët e Ballukut në vilën e
Në foto: Viola Haxhiademi

Në këtë grup mungon emri “Joana Bushi”, e cila është bashkëpunëtore e ngushtë e Ballukut dhe që, sipas kontratës së qirasë me Igli Taren, përdor vilën “F6”. Ky është një detaj që ka ndihmuar më shumë grupin hetimor për të kuptuar se përfshirja e zonjës Bushi në dokumenta është tërësisht fiktive dhe se ajo ka shërbyer si mbulesë për shefen e saj, Belinda Balluku.

Kohë më vonë, një tjetër bashkëpunëtore e Belinda Ballukut, shefja e Kabinetit të saj, Laureta Omeri, e quan këtë grup si “grupi shurupi”. Në një komunikim me Evis Berberin, në atë kohë drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar, zonja Omeri i shkruan, me nota humori: “Meqë je andej nga Jugu, shih nëse na gjen një ‘kasolle’ tek Gjikuria. Vetëm ne jemi jashtë ‘grupit shurupi’, se nuk kemi takat vetë”.

Por, natyrisht, krijimi i grupit telefonik nga Belinda Balluku, nuk është detaji i vetëm që ka bindur Prokurorinë e Posaçme për pronësinë reale mbi vilën “F6” tek kompleksi i Carapulit.

“Meraku” i Ballukut për pishinat

Prokuroria e Posaçme e ka akuzuar më herët Belinda Ballukun se ka fshehur një vilë në kompleksin “Green Coast” në Palasë, në emër të Igli Tares.

Në hetimin për atë vilë, SPAK-u kishte identifikuar një e-mail që arkitekti Alban Eftimi i dërgonte Ballukut, duke i treguar detaje për pishinën e vilës dhe duke përmendur se përdoruesit “do të ndiheshin të llastuar” nga luksi.

Një situatë e ngjashme përsëritet edhe me vilën e dyshuar si të Ballukut, në kompleksin ‘White Rocks”, në Dhërmi, duke dëshmuar se ish-zv.kryeministrja ka pasur një merak shumë të veçantë për pishinat.

“Grupi shurupi"/ Gjurmët e Ballukut në vilën e
Në foto: “Eurocol” mori lejen për kompleksin “White Rocks” në 2015

Në Prill 2020, arkitekti i kompanisë ndërtuese, Julian Kelo, i nis një mesazh elektronik Ballukut: “Mirëmëngjes! Po të nis planet e pishinës” dhe bashkëngjitur ishte edhe një material “.pdf”, e titulluar “Planimetria e pishinës së oborrit A3”.

Më vonë atë ditë, nga adresa e Ballukut, ky material përcillet në adresën elektronike të Viola Haxhiademit, numri dy i Ministrisë së Infrastrukturës në atë kohë.

Pastruesja, dadoja, shoferi

Në dosjen gjyqësore ndaj Arben Ahmetajt, paraardhësit të Belinda Ballukut në detyrë, Prokuroria e Posaçme tregoi për herë të parë një teknike të papërdorur më parë në hetimet në Shqipëri, sidomos atyre që lidhen me fshehjen e pasurive të zyrtarëve të lartë.

Për të konfirmuar dyshimet e tyre, prokurorët morën në pyetje plot njerëz “periferikë”, si murator, hidraulikë, lulishtarë, etj, por që rezultuan të dobishëm në bindjen e tyre.

Një skemë e ngjashme është ndjekur edhe në hetimet ndaj Belinda Ballukut. Për të provuar se vila ‘F6” në kompleksin “White Rocks”, e regjistruar në pronësi të Igli Tares, por që realisht është e Ballukut, prokurorët kanë marrë në pyetje individë që gjendeshin në orbitën e ish-zv.kryeministres.

Albert U. ka qenë shofer i Ballukut në kohën kur drejtonte Aviacionin Civili dhe, më tej, shofer i familjes, kur ajo u emërua Ministre e Infrastrukturës. Ai ka shoqëruar shpesh fëmijët e Belinda Ballukut për në vilën në Gjilekë, ka kryer porosi të ndryshme në emër të shefes së tij, përfshirë zgjidhjen e problemeve teknike me ujin e dritat në ndërtesë, si edhe ka dërguar, herë pas here, pastruesen e ish-zv.kryeministres për të kryer shërbime në vilë.

Pastruesja Lavdije S. punon prej 10 vitesh në shtëpinë e Belinda Ballukut, në Tiranë. Ajo, me porosi të punëdhënëses së saj, ka shkuar herë pas here në Dhërmi, për të pastruar “vilën 2 katëshe, me oborr dhe pishinë”, e shoqëruar nga shoferi i familjes.

Një pensioniste e mirë, Shaniko T, ka thuajse “një jetë” që punon si dado në familjen e Belinda Ballukut. Prej gati 20 vitesh ajo ka qëndruar pranë fëmijëve të saj. Në këtë histori është përfshirë tërësisht tangent, por që u ka shërbyer prokurorëve të posaçëm që të kryqëzojnë të dhënat e tyre.

Ajo kishte çelësin e vilës dhe ia jepte Lavdijes, sa herë që ajo nisej nga Tirana drejt Dhërmiut për të pastruar ndërtesën dy-katëshe.

Vilë në këmbim të tenderit

Prokuroria e Posaçme është e bindur se Belinda Balluku e ka përfituar këtë vilë në formën e korrupsionit, pasi ka shpallur në mënyrë abuzive kompaninë “Eurocol” të Pandeli Carapulit, fitues të një tenderi me vlerë totale (bashkë me shtesat) rreth 1 milionë euro, për “Rikonstruksionin e godinës së Albcontrol”.

Tenderi është kryer në vitin 2015, kur Balluku ishte drejtoreshë e këtij institucioni. Nga analiza e kryer nga Prokuroria e Posaçme, rezulton se kompania e Carapulit nuk plotësonte kriteret për t’u shpallur fitues. Megjithatë, komunikime të gjetura mes saj dhe Evis Berberit, i cili në kohën e zhvillimit të atij tenderi ishte shef i prokurimeve në ‘Albcontrol”, kanë krijuar bindjen se procedura e prokurimit ishte e paracaktuar për shoqërinë “Eurocol”.

“Grupi shurupi"/ Gjurmët e Ballukut në vilën e
 Në foto: Biznesmeni Pandeli Carapuli

Në vijim, sipas SPAK-ut, Pandeli Carapuli ka krijuar kushtet që Belinda Balluku të marrë “dhuratë” një vilë në kompleksin bregdetar “White Rocks”, që ai po ndërtonte në Dhërmi.

Në ndihmë të dyshimeve të Prokurorisë së Posaçme kanë ardhur edhe një mori komunikimesh, të zhvilluar mes stafit të Carapulit dhe bizneseve të tjera, të cilat ishin të angazhuara për ndërtimin dhe mobilimin e vilës “F6”.

Në thuajse të gjithë këto komunikime, individë të ndryshëm, përfshirë arkitektë, hidraulikë, elektriçiste, mirëmbajtjës, etj, i referoheshin vilës “F6” në “White Rocks” si “vila e Ballukut”.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për “Dosjen Balluku” dhe u komunikoi akuzat 31 personave dhe subjekteve private. Balluku dhe të tjerët akuzohen për një mori veprash, përfshirë “korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë”, “shpërdorim detyre”, “fshehje pasurie” e “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Në hetimet e zhvilluara nga SPAK-u janë përfshirë disa tendera të rëndësishëm, përfshirë ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, 7 Lotet e Unazës së Madhe në Tiranë, ndërtimi i rrugës në Porto-Romano, Durrës, etj.

Belinda Balluku është hetuar në gjendje të lirë. Në dhjetor 2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi nga Parlamenti autorizimin për arrestimin e saj, duke qenë se ajo ka edhe mandatin e deputetit. Shumica socialiste e Edi Ramës refuzuan këtë kërkesë, me argumentin se ajo nuk akuzohej për korrupsion. Tashmë që SPAK-u ka formalizuar akuzën për “korrupsion pasiv” në 9 raste, prokurorët nuk e kanë përsëritur kërkesën për autorizim. /Marrë nga Boldnews.al

Të këshilluara

Afrimi me Izraelin, pragmatizëm diplomatik apo politikë personale e Ramës?

Vizita e ministrit të Jashtëm izraelit në Tiranë dhe intensifikimi i kontakteve politike mes dy vendeve po forcojnë marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin, në një kohë kur lufta në Gaza ka rritur kritikat ndërkombëtare ndaj qeverisë së Benjamin Netanyahut. Ekspertët e politikës së jashtme e shohin këtë afrim si një mundësi për bashkëpunim ekonomik dhe strategjik, por ngrenë pikëpyetje mbi përfitimet konkrete për Shqipërinë dhe rolin personal të kryeministrit Edi Rama.

20:15

ide

MOTI TIRANA

12°c

KËMBIMI EURO

90.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Fotoja në dosjen e SPAK/ Kutia e mbushur me euro në vilën e Ballukut

Në dosjen e SPAK për vilën luksoze që Belinda Balluku dyshohet se zotëronte në Dhërmi, mes qindra komunikimeve që sipas prokurorëve provojnë pronësinë e saj faktike, është zbuluar edhe fotografia e një kutie të mbushur me tufa kartëmonedhash 50 euroshe, që dyshohet se ndodhej brenda vilës.

11:05

"Rama në burg, Berisha në burg"/ Sherr brenda opozitës për thirrjet e protestës

Rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale, protestat kundër qeverisë kanë nxjerrë në sipërfaqe përçarjen e opozitës, duke ndezur një përplasje të ashpër mes Sali Berishës dhe Arlind Qorit për përfaqësimin e pakënaqësisë qytetare, ndërsa Edi Rama përfiton politikisht nga lufta mes kundërshtarëve të tij.

14:10

Me sytë katër

PAPARAZZI