
Një shtetas shqiptar është arrestuar në Greqi, si një nga tre të dyshuarit për shpërthimin tragjik në lagjen Plaka të Athinës, më 25 shtator, ku humbën jetën gjashtë persona, mes tyre edhe tre shqiptarë me shtetësi amerikane.
I arrestuari është Kolian Ilia, 34 vjeç, i cili është vënë në pranga së bashku me dy shtetas grekë, përkatësisht 37 dhe 55 vjeç. Sipas hetimeve të autoriteteve greke, tre personat dyshohet se kanë ndërhyrë në sistemin e furnizimit me gaz të një ndërtese, me qëllim vjedhjen e tubave të bakrit.
Kjo ndërhyrje dyshohet se ka dëmtuar tubacionin, duke shkaktuar rrjedhjen e gazit natyror, i cili është grumbulluar në ambientet e godinës dhe ka shpërthyer disa orë më vonë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 25 shtatorit, në rrugën Lysikratous, në zonën e Plakës. Shpërthimi i fuqishëm shkaktoi shembjen e ndërtesës dhe humbjen e jetës së gjashtë personave.
Mes viktimave ishin edhe tre persona me origjinë shqiptare, por me shtetësi amerikane: Florin Hoxha, Florida Hoxha dhe Eris Cani.
Tre të arrestuarit pritet të dalin gjatë ditës së sotme përpara gjykatës, ku do të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj tyre. Ata përballen me akuza të rënda, përfshirë zjarrvënie, shkaktim të një shpërthimi me pasoja fatale dhe vrasje me dashje.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e shpërthimit dhe përgjegjësinë e secilit prej të dyshuarve.