
Kongresmeni amerikan, Ritchie Torres ka reaguar lidhur me revoltat studentore dhe dhunën që policia ka ushtruar ndaj të rinjve, duke kërkuar respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe uljen e tensioneve. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Torres shprehet se është thellësisht i shqetësuar nga shpërthimi i dhunës ndaj protestuesve, duke theksuar se veprimet e policisë janë të papranueshme dhe duhet të marrin fund.
Ai nënvizon se qytetarët shqiptarë kanë të drejtën të protestojnë në mënyrë paqësore dhe se Policia e Shtetit ka detyrimin të respektojë këtë të drejtë, si dhe të garantojë zbatimin e ligjit.
Reagimi i plotë:
Jam thellësisht i shqetësuar nga shpërthimi i dhunës ndaj protestuesve në Shqipëri. Veprimet e ndërmarra nga Policia Shqiptare janë të papranueshme dhe duhet të marrin fund. Shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, policia duhet të respektojë të drejtën e protestuesve për të protestuar dhe duhet të garantojë zbatimin e shtetit të së drejtës. Situata duhet të shtensionohet për t’i dhënë fund dhunës alarmante.
Zanafilla e protestës studentore, e cila është shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua. Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.
Një grup studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga "mbyllja e veshëve" nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë që shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin. Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke "shpërthyer" në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t'i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen "Rama jepe dorëheqjen"