
Duke dalë sot nga GJKKO, avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka rrëfyer edhe njëherë për shantazhet që klienti i tij ka marrë nga kryeministri Rama, për të lëshuar bashkinë e Tiranës. Ndreca, largimi i të cilit nga mbrojtja e klientit të vet, ka qenë një nga kushtet e Ramës, ka përmendur sërisht bisedën telefonike që ka pasur me kryeministrin.
Ai ka shpjeguar se nëse ka konflikt mes mbrojtjes që ai po i bën Veliajt dhe posteve që mban në PS, ai preferon të zgjedhë të parën, sepse si avokat për të më e rëndësishme është garantimi i të drejtave ligjore të një të pandehuri. Por në shpjegim e sipër Plarent Ndrecës i ka "rëshkitur" edhe një sekret i vogël.
Ndërsa shpjegonte bisedën telefonike me kryeministrin pas transferimit të Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, Ndreca pohoi se dilemën e vet mes klientit dhe partisë ia kishte thënë Ramës që para 20 ditësh. Pra që këtu e 20 ditë paska pasur një sherr që prezumohej ta detyronte atë drejt një zgjedhjeje.
Me këtë detaj të vogël ai nxorri në pah se përplasja Rama Veliaj nuk është një shkëndijë e ditëve të fundit, por një betejë që zgjat prej afro një muaji, kur masat represive ndaj të burgosurit nuk kishin nisur ende dhe kur ai nuk e kishte shkruar akoma statusin me elozhe për rëninen e Vuçiçit dhe asocimin e tij me atë që po ndodh në Tiranë.
Kjo distancë kohore e fillimit të konfliktit përkon më tepër me lëvizjet që Veliaj bëri për të marrë nën kontroll të plotë bashkinë duke dëshmuar se përdorimi i saj, ose në favor të procesit që po zhvillohet nga njëra palë ose në favor të zgjedhjeve të ardhshme në Tiranë, nga pala tjetër, është thelbi i përplasjes më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë në gjirin e rilindjes.
LAPSI.AL


