Flash

Eisenkot ka kohë 28 ditë, a do t'ia dalë ta formojë qeverinë në Izrael

Lapsi.al 8 November 2026

Eisenkot ka kohë 28 ditë, a do t'ia dalë ta formojë

Presidenti i Izraelit mandatoi liderin e opozitës, Gadi Eisenkot, për të formuar qeverinë e re pas zgjedhjeve, një detyrë që pritet të përballet me sfida.

Në një postim në X, Eisenkot shkroi: “Tani është koha për të formuar një qeveri kombëtare emergjence. Do të bëj gjithçka që mundem për t’u siguruar që jemi të denjë." 

Asnjë parti politike në Izrael nuk ka fituar ndonjëherë e vetme një shumicë absolute; kjo do të thotë se të gjitha qeveritë kanë qenë koalicione.

Partia e krahut të djathtë “Likud” e Netanyahut, së bashku me aleatët e saj të ekstremit të djathtë dhe ata ultraortodoksë hebrenj, fituan 53 vende në Knessetin me 120 vende. Ndërkohë, partia e qendrës “Yashar” e Eisenkotit, së bashku me tri parti të tjera opozitare hebraike në bllokun e tij, fituan 48 vende. 

Dy aleanca të udhëhequra nga arabët, “Lista e Bashkuar Arabe” (Ra’am) dhe “Lista e Përbashkët”, fituan gjithsej 19 vende. Kjo i vendos ato në një pozicion kyç, ku mund të jenë vendimtare për formimin e qeverisë.

Eisenkot ka refuzuar të bashkojë forcat me partitë arabe, mbështetja e të cilave do t’i siguronte atij një shumicë mandatesh në parlament. Ra’am ka thënë se do ta votojë një qeveri të Eisenkotit edhe pa qenë pjesë e marrëveshjes, ndërsa Lista e Përbashkët nuk do të votojë në favor të një qeverie të tillë, por as nuk do të veprojë për ta rrëzuar atë.

Eisenkot gjithashtu mund të përpiqet të arrijë një marrëveshje me partitë ultraortodokse, por sipas BBC-së, edhe kjo do të ishte e vështirë.

Kreu i Yashar do të ketë 28 ditë në dispozicion për të formuar një qeveri të re, me mundësinë e një zgjatjeje prej 14 ditësh.

Nëse Eisenkot dështon, një kandidat tjetër mund të përpiqet të formojë qeverinë; nëse edhe ai dështon, parlamenti mund të propozojë dikë tjetër. Për këtë proces ekziston një afat prej rreth 100 ditësh. Nëse askush nuk ia del, mbahen zgjedhje të reja. 

Të këshilluara

ide

Mbi kufinjtë politikë të protestës sociale

E vetmja mënyrë për ta vrarë potencialin e protestës sociale është nëpërmjet llogjikës së vjetër politike se qelbësira në pushtet rrëzohet vetëm me një aleancë të madhe qelbësirash në opozitë

09:48 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

90.84

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI