
Nga Enver Robelli, TAGES ANZEIGER
Skenat ngjajnë me ato në Paris, Marsejë apo Milano, por ato po zhvillohen në zemër të Ballkanit: Tirana nuk gjen qetësi. Edhe në fillim të javës, në kryeqytetin shqiptar pati trazira të rënda. Më parë, kryesisht të rinj me fytyra të mbuluara e kishin shndërruar metropolin në një fushë beteje. Ata hodhën kokteje Molotov dhe gurë, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj gome.
Furia shkatërruese pothuajse nuk njeh kufij: protestuesit i vunë zjarrin një komisariati policie, shkatërruan degë bankash dhe plaçkitën dyqane. Rezultati i deritanishëm i trazirave: mbi 300 protestues të dhunshëm dhe efektivë policie të plagosur. Nga buron ky shpërthim zemërimi?
Një analizë e situatës me vlerësimet e publicistit Lutfi Dervishi, i cili jep mësim gazetari në Universitetin e Tiranës.
Pse shpërtheu dhuna?
Që nga fundi i majit, mijëra shqiptarë dhe shqiptare kanë protestuar kundër planeve të qeverisë së kryeministrit Edi Rama për të lejuar ndërtimin e një resorti gjigant në një zonë të mbrojtur natyrore në bregdetin jugor – aty ku folezojnë flamingot. Për këtë arsye, lëvizja protestuese u bë e njohur edhe si Revolucioni i Flamingove. Një nga investitorët është Jared Kushner, dhëndri i Donald Trumpit.
Rama, i cili është në pushtet prej 13 vitesh, reagoi me një arrogancë të paparë: projekti do të zbatohej me çdo kusht. Për gazetarin Lutfi Dervishi, dhuna nuk ishte e papritur: “Ajo është rezultat i një zemërimi të grumbulluar prej vitesh. Edhe pas tre muajsh protestash paqësore, qeveria nuk tregoi gatishmëri për dialog dhe në fund u përgjigj me dhunë policore. Shumë qytetarë kanë ndjesinë se zëri i tyre nuk vlen asgjë – prandaj janë radikalizuar.”
Arsyet e pakënaqësisë
Më 13 tetor, mijëra studentë, si dhe nxënës të shkollave të mesme dhe të ulëta, iu bashkuan Lëvizjes së Flamingove. Ata protestuan kundër kushteve të vështira në shkolla dhe universitete, si dhe kundër tarifave të larta të studimit. Përpara Ministrisë së Arsimit, ata dogjën në mënyrë simbolike një valixhe udhëtimi.
Për shkak të mungesës së perspektivave, gjatë 15 viteve të fundit më shumë se një milion shqiptarë dhe shqiptare janë larguar nga vendi. Papunësia e të rinjve është rreth 20 për qind. Ashtu si në shumë vende të tjera evropiane, edhe në Shqipëri gjithnjë e më shumë njerëz e kanë të vështirë të përballojnë koston në rritje të jetesës.
“Pagat janë afrikane, çmimet e ushqimeve janë të Evropës Perëndimore”, thotë një banore e Tiranës, e cila dëshiron të mbetet anonime. Si shembull, ajo përmend një litër qumësht, i cili në Shqipëri kushton afërsisht po aq sa në Zvicër.
Paga mesatare mujore në Shqipëri është e barabartë me 935 franga zvicerane. Ndonëse turizmi në vend po lulëzon, shumë vende pune në këtë sektor paguhen pak dhe janë sezonale. Aktivistët mjedisorë denoncojnë gjithashtu shkatërrimin gjithnjë e më të madh të peizazhit bregdetar shqiptar.
“Për një kohë të gjatë, emigracioni ka funksionuar si një valvul shkarkimi për pakënaqësinë shoqërore”, shpjegon Lutfi Dervishi. “Në vend që të luftonin për ndryshime në rrugë ose në kutitë e votimit, shumë njerëz zgjodhën të largoheshin nga vendi. Por tani brezi i ri po kundërshton idenë se të ardhmen mund ta shohë vetëm jashtë vendit. Ai dëshiron që politika më në fund t’i përmbushë premtimet dhe të japë rezultate.”
Korrupsioni në aparatin e pushtetit në Shqipëri
Qeveria e Edi Ramës po përballet me një varg skandalesh korrupsioni. Publicisti Lutfi Dervishi renditi së fundmi 25 afera, në të cilat drejtuesit e pushtetit dyshohet se kanë përvetësuar qindra miliona euro. Ndër problemet më të mëdha është dhënia e kontratave publike me çmime të fryra – shpesh në bashkëpunim me oligarkë.
Së fundmi, një aferë që përfshinte drejtuesen e shërbimit sekret tronditi vendin. Ajo ndodhet në arrest shtëpie, sepse dyshohet se i ka zbuluar detaje të hetimeve një biznesmeni – me të cilin, me sa duket, kishte edhe një marrëdhënie intime – dhe e ka ndihmuar atë të arratisej nga policia. Burri konsiderohet një figurë kyçe e një rrjeti përmes të cilit politikanët pasurohen në kurriz të shtetit.
Bashkëpunëtorët më të afërt të Ramës ndodhen tashmë ose në burg, ose duhet të përballen me drejtësinë për shkak të akuzave për korrupsion. Në Shqipëri, prej kohësh është kthyer në një batutë të përsëritur ideja se Rama hiqet sikur nuk di asgjë.
Sipas Lutfi Dervishit, Rama e ka përqendruar pushtetin tërësisht te vetja. Edhe pas valës së fundit të protestave, ai nuk tregoi gatishmëri për kompromis: i ofendoi protestuesit duke i quajtur “ekstremistë të ANTIFA-s me aftësi të kufizuara mendore” dhe i shpërbleu efektivët e policisë për angazhimin e tyre me një bonus të posaçëm.
Si artist dhe autor me aftësi të spikatura gjuhësore, Edi Rama e kupton fuqinë e simboleve. Të martën, ai urdhëroi të vendoseshin disa karrige përpara selisë së tij, të pajisura me nga një fletë ku shfaqej fjala “Dialog”. Protestuesit, të cilët kishin pritur për më shumë se 140 ditë një ofertë serioze për bisedime, e konsideruan këtë instalacion si një tallje dhe i hodhën karriget tutje.
A po drejtohen trazirat nga jashtë vendit?
Edi Rama flet për “duar të huaja” që synojnë të destabilizojnë Shqipërinë dhe të pengojnë anëtarësimin e vendit në BE. Megjithatë, kryeministri nuk paraqet prova për këtë pretendim. Si dëshmi shërbeu një postim në platformën X nga ideologu ultranacionalist Alexander Dugin, i afërt me Kremlinin, i cili shprehu qëndrim pozitiv ndaj protestave.
Kohët e fundit, gazetat turke e kanë akuzuar Edi Ramën se mban me Izraelin një “partneritet të përgjakshëm”. Kryeministri shqiptar e mbështet pa kushte qeverinë e Benjamin Netanyahut në luftën kundër organizatës terroriste Hamas. Në të njëjtën kohë, Shqipëria është shndërruar në një destinacion të preferuar udhëtimi për izraelitët: vetëm këtë vit pritet të mbërrijnë rreth 100.000 vizitorë.
Në Tiranë, disa vëzhgues pyesin veten nëse presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mund të jetë duke i nxitur qëllimisht tensionet në këtë vend të Ballkanit. Në Ankara shihet me shqetësim fakti që Shqipëria dhe Izraeli bashkëpunojnë ngushtë në fushat e sigurisë dhe të mbrojtjes kibernetike.
Për Lutfi Dervishin, retorika e qeverisë ndjek një model të njohur prej kohësh: “Kur nuk di më t’u japësh përgjigje pyetjeve urgjente të popullsisë tënde, kërkon armiq të jashtëm.”
Ndonëse Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në procesin e integrimit evropian, duke pasur parasysh përmasat e jashtëzakonshme të korrupsionit, dyert në Bruksel mund të mbeten të mbyllura edhe për një kohë të gjatë.
Kësaj i shtohet edhe skepticizmi i përhapur ndaj zgjerimit të BE-së në shumë prej shteteve anëtare. Dervishi e kritikon ashpër qëndrimin e Bashkimit Evropian: sipas publicistit, nga këndvështrimi i Brukselit, bashkëpunimi me autokratët rajonalë, të cilët premtojnë një stabilitet të supozuar, shpesh ka përparësi ndaj reformave të mirëfillta demokratike.