
Dy stuhi të fuqishme kanë përfshirë Europën Veriore, duke lënë mbi 150 mijë familje pa energji elektrike dhe duke shkaktuar probleme serioze në transportin ajror, rrugor dhe hekurudhor. Britania, Franca dhe Gjermania janë ndër vendet më të goditura nga stuhitë Boelo dhe Austen. Situata më e rënduar është regjistruar në Britani, ku rreth 82 mijë familje mbetën pa energji. Në Skoci, erërat arritën deri në 135 kilometra në orë, duke rrëzuar pemë dhe linja elektrike, ndërsa disa rrugë dhe hekurudha u bllokuan.
Probleme pati edhe në Irlandën e Veriut, ku u ndërprenë shërbime tragetesh dhe u anuluan fluturime për shkak të erërave të forta. Në Gjermani, rreth 10 mijë familje në Freiburg dhe zonat përreth mbetën pa energji. Ndërprerja preku përkohësisht edhe spitalin kryesor të qytetit, i cili kufizoi shërbimet vetëm te rastet urgjente. Dy persona u plagosën rëndë pasi erërat rrëzuan skela në një treg të hapur. Edhe Franca u godit nga stuhia Austen. Në kulmin e saj, qindra mijëra familje mbetën pa energji, ndërsa dhjetëra mijëra vazhdonin të kishin probleme me furnizimin edhe të dielën.
Moti i keq ka shkaktuar kaos edhe në aeroportet europiane. Në Schiphol të Amsterdamit janë anuluar ose devijuar dhjetëra fluturime, ndërsa vonesa janë regjistruar në disa prej linjave kryesore europiane. Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për erëra të forta, përmbytje dhe rrezik nga pemët apo objektet e rrëzuara, ndërsa problemet pritet të vazhdojnë në disa zona të Europës Veriore.