![]()
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha thotë se ka punuar gjithë verën për të mobilizuar njerëz për në protestë me qëllim mbështetjen e të rinjve dhe qytetarëve që kërkonin rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Sipas tij PD ka qenë pjesëmarrëse edhe në protestat e ‘Flamingove’.
“Protestat janë pasioni im. Unë çdo ditë kam zhvilluar mbledhje dhe nuk kam bërë asnjë ditë pushim gjatë verës, duke mobilizuar njerëz për t’i çuar në protestë. Në respekt të plotë të qytetarëve dhe të rinjve që ishin ngritur në mënyrën më të bukur dhe madhështore, kisha admirimin më të madh.
Nëse do të përmbysnin Edi Ramën, do të ndieja kënaqësinë më të madhe, sepse jam atdhetar. Kryeministri u takon atyre që rrëzojnë qeverinë. Nuk kam punuar kurrë për një protestë sa për atë të flamengove”, tha Berisha në emisionin "Opinion".
Kreu i PD foli dhe për protestat studentore duke deklaruar se ka bërë “paqe të heshtur” dhe me ata që nuk e përkrahin opozitën “për të mirën e përbashkët”.
Berisha tha se personalisht, nuk do të marrë pjesë në asnjë prej protestave të organizuara në mbështetje të studentëve, për të mos e kthyer në politikë.
“Armiku më i rrezikshëm është ai që i kthen shpinën. Ata që lëshojnë slogane kundër nesh janë armiqtë tanë. Në këtë betejë, armiku i armikut tim është aleati im. E studentëve është histori tjetër.
Nuk kam shkuar dhe nuk shkoj, sepse është protestë e studentëve dhe PD qëndron në mbështetje të tyre. Me t’u shfaqur unë, për disa arsye, ajo protestë merr konotacionin e Sali Berishës. Jemi brenda në protestë. Janë me qindra të rinj të FRPD-së dhe GRUD-it”, tha Berisha. /tvklan.al