
Studentët pritet të mblidhen këtë të martë, në orën 10:00, përpara Ministrisë së Arsimit, ku do të vijojnë protestën që prej dy javësh ka përfshirë kryeqytetin. Në mbështetje të tyre janë bashkuar edhe pedagogët e universiteteve publike, të cilët kanë bojkotuar auditorët dhe kanë vendosur të qëndrojnë në krah të studentëve.
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka shpallur bojkotin e mësimdhënies që prej 21 tetorit, duke njoftuar se ai do të vijojë deri në një vendim të dytë. Gjatë dy javëve të fundit, tubimet janë shoqëruar me tensione, përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, si dhe me të plagosur e të shoqëruar në polici.