
Policia ka vënë në pranga një ish-jurist të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Stolen Land”. Bëhet me dije se ndaj Hidir Zanit, Gjykata e Fierit me vendim të datës 17 shtator 2026, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet për shpërdorim detyre në disa raste gjatë ushtrimit të funksionit si jurist në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Fier.
56-vjeçari dyshohet se ka abuzuar në mënyrë të përsëritur me detyrën gjatë kohës që ushtronte funksionin e juristit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Fier. Ndalimi i tij u bë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në kuadër të vijimit të operacionit policor “Stolen Land”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme hetimore.