
Pas muajsh të tërë fushate elektorale dhe miliarda dollarëve të shpenzuar, dita e zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara ka mbërritur. Sondazhet e fundit të opinionit publik tregojnë se demokratët janë në avantazh, megjithatë, rezultatet e sondazheve nuk kanë qenë gjithmonë të sakta dhe as këtë vit nuk përjashtohen surprizat.
Në vija të përgjithshme, ekzistojnë tre skenarë të mundshëm për rezultatin e zgjedhjeve, të cilët mund të përcaktojnë zhvillimet politike në SHBA gjatë dy viteve të ardhshme. Ja cilët janë skenarët, cilat mund të jenë sinjalet e para gjatë numërimit të votave dhe çfarë mund të nënkuptojnë rezultatet për të ardhmen e vendit.
1. Një valë e madhe në favor të demokratëve
Nëse historia është një tregues, zgjedhjet e mesmandatit zakonisht favorizojnë partinë që nuk është në pushtet. Duke marrë parasysh edhe vlerësimet e sondazheve për popullaritetin e ulët të presidentit Donald Trump, luftën me Iranin, e cila ka rritur kostot për konsumatorët, si dhe disa politika të debatueshme, si zbatimi agresiv i masave kundër emigracionit dhe mbështetja për ndërtimin e qendrave të të dhënave, krijohen kushtet për një valë të fortë elektorale kundër republikanëve.
Në këtë skenar, demokratët jo vetëm që do të merrnin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por do të siguronin një epërsi të konsiderueshme përtej 218 vendeve të nevojshme për shumicën.
Ata mund të fitonin jo vetëm në rreth një duzinë garash që analistët i konsiderojnë të vështira për t’u parashikuar, por edhe në disa zona tradicionalisht konservatore.
Në Senat, ky skenar do të kërkonte që demokratët të fitonin shumicën ose të gjitha garat e ngushta, përfshirë edhe disa në shtete tradicionalisht republikane. Një fitore e bujshme mund të vinte në Teksas, ku demokratët nuk kanë fituar prej një brezi, ose në Kansas, ku një fitore e tillë nuk është regjistruar prej gati një shekulli.
Në këtë rast, demokratët nuk do të merrnin thjesht kontrollin e Senatit, por do të siguronin edhe një ose dy vende më shumë se shumica e nevojshme.
Kjo mund të shmangte edhe një përplasje të mundshme ligjore me republikanët në Alaskë, ku një gjykatës rrëzoi një padi të administratës Trump lidhur me praninë në fletën e votimit të dy kandidatëve me të njëjtin emër, Dan Sullivan.
Demokratët mund ta arrinin këtë rezultat përmes një pjesëmarrjeje të lartë të elektoratit të tyre dhe mbështetjes së konsiderueshme nga votuesit e pavarur. Një rezultat i tillë do të përmbyste edhe përparimin që Trump kishte bërë në zgjedhjet e vitit 2024 mes votuesve hispanikë dhe meshkujve të rinj. Një pjesë e votuesve republikanë mund të kalonin në krahun e demokratëve ose të zgjidhnin të mos votonin.
Një fitore e tillë do të përbënte një goditje të fortë elektorale për Trump dhe Partinë Republikane, duke hapur rrugën për dy vite përplasjesh mes demokratëve, të cilët do të kontrollonin fuqinë legjislative, dhe presidentit amerikan, i cili rrallë tërhiqet nga konfliktet politike.
Sinjalet e para gjatë numërimit të votave: Nëse demokratët ruajnë avantazhin në garat e synuara për Dhomën e Përfaqësuesve në Florida dhe fitojnë disa zona të kontrolluara nga republikanët në Karolinën e Veriut, Michigan, Nju Jork, Virxhinia dhe Kentaki. Nëse arrijnë të marrin edhe vendin në Senat në Karolinën e Jugut, atëherë kjo do të ishte një natë shumë e mirë për demokratët.
2. Një përparim i kufizuar i demokratëve
Një tjetër mundësi është që sondazhet të mos rezultojnë as plotësisht të gabuara dhe as plotësisht të sakta.
Në këtë skenar, demokratët mund të fitojnë mjaftueshëm vende në Dhomën e Përfaqësuesve për të siguruar shumicën, por pa krijuar një epërsi të konsiderueshme.
Kjo do të thotë se drejtuesit demokratë në Kongres do të përballeshin vazhdimisht me vështirësi për të siguruar votat e nevojshme, duke qenë se do të duhej të negocionin si me përfaqësuesit e krahut të majtë, ashtu edhe me ata të qendrës, për të miratuar ligje.
Sa i përket Senatit, në këtë skenar demokratët mund të fitonin vetëm një ose dy vende. Karolina e Veriut, për shembull, duket një garë ku fitorja e tyre konsiderohet pothuajse e sigurt, ndërsa garat në shtetet tradicionalisht konservatore mund të rezultojnë të paarritshme.
Demokratët mund të mos arrijnë të rrëzojnë senatoren republikane Susan Collins në Maine, e cila ka treguar qëndrueshmëri elektorale, ose kandidati i krahut të majtë, Abdul El-Sayed, mund të mos arrijë të mbajë Michiganin në kampin demokrat.
Gjithashtu, polemika për dy kandidatët me emrin Dan Sullivan mund të dëmtojë kandidaten demokrate Mary Peltola në Alaskë.
Që ky skenar i një përparimi të kufizuar të demokratëve të bëhet realitet, pjesëmarrja e lartë e mbështetësve të tyre në votimin e hershëm duhet të shoqërohet me një mobilizim të fortë të republikanëve ditën e zgjedhjeve.
Përpjekjet e Trump për të mobilizuar bazën e tij elektorale në shtetet republikane mund ta ndihmojnë partinë të shmangë skenarin më të pafavorshëm. Garat që në sondazhe rezultonin shumë të ngushta mund të prodhojnë rezultate të përziera për të dyja partitë.
Rezultati do të ishte një Kongres i ndarë politikisht, duke krijuar terrenin për bllokim të vendimmarrjes dhe përplasje të vazhdueshme mes palëve.
Sinjalet e para gjatë numërimit të votave: Nëse Florida mbetet bindshëm në krahun republikan dhe demokratët arrijnë të fitojnë disa vende në Dhomën e Përfaqësuesve në shtete si Virxhinia dhe Pensilvania, por kandidatët republikanë në zonat ku kanë një pozicion më të konsoliduar arrijnë t’i mbajnë mandatet e tyre.
3. Një natë e suksesshme për republikanët
Skenari i tretë parashikon që republikanët të arrijnë të ruajnë kontrollin mbi të dyja dhomat e Kongresit.
Për këtë të ndodhë, sondazhet, të cilat në të kaluarën kanë nënvlerësuar mbështetjen për Trump, duhet të rezultojnë të pasakta, ndërsa garat e ngushta duhet të anojnë kryesisht në favor të republikanëve.
Jo vetëm që votuesit republikanë duhet të dalin në numër më të madh nga sa pritet, por edhe votuesit e pavarur dhe ata hispanikë, të cilët duket se janë distancuar nga politikat e Trump, duhet të rikthejnë mbështetjen për presidentin amerikan.
Në këtë skenar, kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve, që deri tani konsiderohet si një objektiv i mundshëm për demokratët, mund të vendoset nga rezultati në Kaliforni dhe procesi disa ditor i numërimit të votave të dërguara me postë.
Në fund, republikanët mund të sigurojnë një shumicë të ngushtë, pjesërisht falë përpjekjeve për të ndryshuar kufijtë e distrikteve zgjedhore në favor të tyre në shtete si Teksasi, Florida dhe Karolina e Veriut.
Në Senat, republikanët mund të fitojnë të gjitha garat në shtetet konservatore dhe të marrin edhe një vend që aktualisht mbahet nga demokratët në Michigan.
Edhe nëse nuk arrijnë të fitojnë në Karolinën e Veriut apo në shtetet me prirje demokrate, si Minesota dhe Nju Hampshiri, ku garat konsiderohen më pak konkurruese, republikanët mund t’i vënë kandidatët demokratë nën presion deri në fund të numërimit.
Nëse ky skenar realizohet, Trump mund ta interpretojë rezultatin si një mandat të ri elektoral dhe, që në mëngjesin e së mërkurës, të deklarojë se ka marrë mbështetjen e votuesve për të vijuar agjendën e tij të brendshme dhe të jashtme, me mbështetjen e vazhdueshme të një Kongresi të kontrolluar nga republikanët.
Sinjalet e para gjatë numërimit të votave: Nëse senatorët Ashley Moody në Florida dhe Jon Husted në Ohajo sigurojnë fitore të lehta për rizgjedhje. Gjithashtu, nëse republikanët ruajnë pozitat e tyre në garat për Dhomën e Përfaqësuesve në Pensilvani dhe Virxhinia, si dhe arrijnë të marrin vende që aktualisht mbahen nga demokratët në Karolinën e Veriut, Ohajo dhe Florida.