Flash

Ngecin investimet publike/ Vetëm 36% e planit në 9 muaj, 1.2 mld euro duhet të shpenzohen në 3 muaj

Lapsi.al 26 October 2026

Ngecin investimet publike/ Vetëm 36% e planit në 9 muaj, 1.2 mld euro

Investimet kapitale nga buxheti i shtetit arritën në 62,7 miliardë lekë gjatë 9-mujorit, duke realizuar vetëm 35,6% të planit vjetor prej 176 miliardë lekësh. Për të përmbushur objektivin e parashikuar, qeveria duhet të shpenzojë edhe 113,4 miliardë lekë, ose rreth 1,2 miliardë euro, në tre muajt e fundit të vitit.

Kjo do të kërkonte një përshpejtim të fortë të shpenzimeve publike në fund-vit, në një kohë kur ecuria e deritanishme tregon se realizimi i planit mbetet problem kronik. Në nëntë muajt e vitit 2026, shpenzimet për investime kapitale ishin mesatarisht rreth 7 miliardë lekë në muaj.

Për të realizuar të gjithë fondin vjetor, kjo mesatare duhet të rritet në rreth 37,8 miliardë lekë në muaj gjatë tremujorit të fundit, pra më shumë se pesëfish, pasi shuma e mbetur për t’u shpenzuar përfaqëson 64,4% të planit vjetor të investimeve. Realizimi i ulët i investimeve kapitale ka si shkak faktorë të shumëfishtë që nga vonesat në përgatitjen dhe miratimin e projekteve, procedurat e prokurimit publik dhe ankimimet, deri të problemet me shpronësimet dhe kapacitetet e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e kontratave. Teksa në buxhetin e shtetit shpesh parashikohen fonde përpara se projektet të kenë përfunduar procedurat përgatitore.

Por teksa eficiensa e administratës nuk i përgjigjet fondit të investimeve që vjen në rritje nga viti në vit, rreziku i mosrealizimit nuk kufizohet vetëm te plani buxhetor. Përqendrimi i kontraktimeve, punimeve dhe pagesave në një periudhë të shkurtër mund të krijojë presion mbi administratën publike, kompanitë zbatuese dhe mekanizmat e kontrollit të cilësisë. Përvoja ka treguar se pothuajse mbi 40 për qind e buxhetit të investimeve alokohet në dhjetor duke ushtruar një presion të fortë mbi çmimet dhe inflacionin.

Nga pikëpamja fiskale, mosrealizimi i investimeve po ndikon në interpretimin e ecurisë së buxhetit dhe mund të ndryshojë edhe njëherë në raport me planin fillestar. Shpenzimet totale mund të rezultojnë më të ulëta se parashikimi, me pasoja në sektorët që varen nga kontratat publike. Por nga ana tjetër nëse përshpejtimi i projekteve vijon me pagesa të larta në muajt e fundit ekziston rreziku për abuzime dhe mungesë eficencë ka vënë në dukje edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportet për zbatimin e buxhetit.

Për të realizuar plotësisht objektivin, nevojitet një përshpejtim i jashtëzakonshëm i shpenzimeve, por edhe një vlerësim i kapaciteteve reale për të përfunduar projektet brenda afateve. Investimet publike edhe këtë vit po vijojnë të jenë të ekspozuara ndaj një modeli zbatimi ku muajt e fundit të vitit mbajnë peshën kryesore të realizimit. Kjo mënyrë buxhetimi po shton pasigurinë për përmbushjen e objektivave dhe cilësinë e rezultateve. Mosrealizimi  investimeve vjen në një kohë kur vendi ynë ka hendekun më të madh në infrastrukturë, rrugë, furnizim të rregullt me ujë, shëndetësi etj./Monitor

Të këshilluara

ide

Revolta si shpresa e fundit

Revolta studentore dhe e të rinjëve përgjatë javës së fundit në Shqipëri, përveç që shpërfaqi dhu...

11:19 Agon Hamza

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI