
Studentët dhe pedagogët do të mblidhen sërish sot në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit, në protestën kundër qeverisë Rama. Prej 13 ditësh, mijëra studentë të mbështetur nga qytetarë të shumë janë përballur në shesh me dhunën e shtetit. Si pasojë e kësaj dhune, shumë studentë, pedagogë, gazetarë dhe deputetë, kanë mbetur të plagosur. Edhe gjatë protestës kombëtare ditën e shtunë dhe dje pati tensione mes protestuesve dhe policisë.
Në tarracën e Kryeministrisë janë vendosur kamera me rezolucion të lartë, të cilat mundësojnë monitorimin e protestuesve dhe identifikimin e personave që marrin pjesë në tubim. Protestuesit u mblodhën fillimisht te Ministria e Arsimit, të cilën e gjuajtën me gurë, ndërsa më pas nisën rrugëtimin drejt Kryeministrisë, aty ku dhe pati përplasje të ashpra dhe shoqërime të dhunshme.
Zanafilla e protestës studentore, e cila është shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua. Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.
Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga "mbyllja e veshëve" nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin. Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke "shpërthyer" në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t'i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen "Rama jepe dorëheqjen".